Juventus-Napoli nuk u zhvillua. Sikurse pritej, për shkak të mungesës së të kaltërve në “Allianz Stadium”, sfida u anulua. Pati ndonjë tifoz në shkallët e stadiumit, disa lojtarë të Juves në fushë, por sigurisht jo ndeshje.
Sipas rregullores, zyrtarët e ndeshjes pritën formalisht 45 minuta, për ta anuluar përfundimisht atë. Kërkesa e klubit napolitan për shtyrjen e ndeshjes nuk pati vlerë.
Në teori, me rregullore, Napoli duhet të humbë 3-0 në tavolinë dhe gjithashtu duhet t’i hiqen pikë nga klasifikimi për dështimin për të zhvilluar ndeshjen.
Pra, Juventusi do të shkonte në kuotën e 7 pikëve, duke parakaluar pikërisht Napolin, që fitoi dy ndeshjet e para. Ndeshja me Genoan (6-0) gjeneroi mosmarrëveshje për ndeshjen me “Zonjën e Vjetër”, duke pasur parasysh rastet e shumta me Koronavirus mes futbollistëve të skuadrës liguriane dhe më pas konfirmimin e pozitivitetit të Zielinskit, Elmasit dhe një anëtari të stafit të Napolit.
Do të jetë gjykatësi sportiv, që do të vendosë nëse do t’i jepet fitorja në tavolinë Juventusit e rrjedhimisht dënimin e Napolit me heqje pikësh.
Nëse do të ndodhë kështu, Napoli do të apelojë për humbjen në tavolinë, i vendosur për të rikuperuar pikën (ose pikët) në renditje dhe ndeshjen me Juventusit. Parashikohet një betejë e gjatë dhe e ashpër ligjore.