Për Sherif Kallakun ka trokitur momenti që e ëndërron çdo futbollist: ftesa e Kombëtares. Futbollisti i Lokomotivës së Zagrebit, në lidhjen me gazetarin Glend Tafaj në emisionin “Zona Gol” tregon emocionet e të qenit pjesë e kuqezinjve të mëdhenj e jo vetëm.
“Kombëtarja është ëndërr për çdo fëmijë. Ndiej emocion të madh, por jam tip i ftohtë dhe i menaxhoj mirë këto situata, pasi ndryshe të bëjnë dëm në fushë. Të them drejtën, nuk do mërzitesha nëse nuk do të grumbullohesha nga Kombëtarja A, pasi kam moshën akoma për të luajtur tek U-21 dhe ftesa vjen me formën e mirë. Kam bërë mjaft mirë dhe besoj se e kam merituar ftesën për në Kombëtare.”
Takimi i parë me Edy Rejan: “Në takimin e parë më trajnerin Reja më ka lënë një përshtypje mjaft të mirë. Kam ambiciet e mia në Kombëtaren A, por nuk do ta shprehja mërzitjen nëse nuk ftohesha.”
Vlerësimi nga Alban Bushi: “Ndihem shumë i privilegjuar edhe pse mendoj se është pak koment i tepërt. Do të mundohem që këtë moment të mos e çoj dëm”.
Përshtatja te Lokomotiva e Zagrebit: “Jam përshtatur shumë mirë falë lojtarëve shqiptarë, por na ka kapur ai ngërçi për të marrë fitoret në kampionat. Besoj se mund ta arrijmë shumë shpejt”.
Urimi për Teutën: “Kam shumë dëshirë që në Durrës të shkojë një titull kampion, pasi Kupa u arrit. U bë shumë vite që Teuta ka bërë një punë të mirë dhe do të isha shumë i lumtur që ata të fitonin titullin kampion”.