Statistikat e fundit si nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, por edhe nga gjykatat e rretheve, tregojnë, se iniciatoret për të shkuar drejt divorcit janë gratë.
Avokate kryesisht divorcesh, prej gati 20 vjetësh, Vjollca Pustina shpjegon disa nga arsyet, pse janë gratë ato që i lënë burrat:
“Arsyeja e parë është që gratë nuk e pranojnë më dhunën që ushtrojnë burrat. Njëkohësisht kjo ka ardhur si pasojë e pavarësisë që kanë ato, dhe sidomos pavarësisë ekonomike. Çiftet e reja mendoj që kanë filluar të mos e vuajnë mentalitetin dhe paragjykimet, femrat sidomos. Dy rastet e fundit që kam patur, kanë të bëjnë me një zonjë me një fëmijë në moshën 10 vjeçare. Pavarësisht se bashkëshorti i lutej në momentin që i erdhi në dyert e gjykatës, ajo nuk pranoi të kthehej, me pretendimin, se ai nuk ndryshon dhe do të vazhdonte të ishte i dhunshëm. Rasti tjetër kishte lidhje po me ushtrim dhune. Tre herë kishin bërë kërkesë për divorc, pajtoheshin, dhe në fund fare të dy u ndanë”.
Mungesa e gjyqtarëve të çështjeve familjare kanë ndikuar që edhe gjyqet për divorce të zgjaten shumë duke e agravuar më shumë situatën, nëse ka konflikte që nuk shuhen.
Avokatja pohon se ka një ndryshim mes grave të fshatit dhe atyre në qytet.
“Gratë e fshatit mendohen 100 herë për të shkuar drejt divorcit, apo për të denoncuan në polici burrin për dhunë në familje. Ndërsa gratë e qytetit kanë filluar të çlirohen nga ai mentalitet se çfarë tha X apo Y për familjen time. Unë këmbëngul që çiftet të mos shkojnë drejt divorcit pa provuar dhe pa i dhënë mundësinë njëri-tjetrit, pasi ata që vuajnë më shumë pasojat e një divorci janë fëmijët. Ndarja ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor të fëmijës”, thotë Pustina.