Nuk kisha luajtur ndaj një tenisti të tillë, kurrë më parë. Ishin këto fjalët e para që deklaroi në konferencën e tij për mediat Novak Djokovic, i cili pavarësisht faktit se kjo finale përfaqësonte përballjen e tretë ndërmjet tyre, në fund pranoi se u mund nga një sportist që luajti më mirë se sa ai. Ishte një ndeshje ku në lojë ishin vërtet shumë gjëra në mes, përfshirë edhe numrin 1 të klasifikimit të përgjithshëm ATP.
Një sfidë e jashtëzakonshme të cilën specialistët e shumtë të këtij sporti e kishin konsideruar edhe si betejën e brezave. Rezultoi vërtet kështu dhe në fund Carlos Alcaraz i rrëmbeu fronin pikërisht tenistit më të suksesshëm për sa iu përket turneve Slam, për të shënuar emrin në aktivitetin më të lavdishëm në historinë e këtij sporti. Një ndeshje epike, që zgjati plot 4h 42’, ku Carlito fitoi me meritë, duke i hequr mundësinë Noles për të barazuar shume rekorde. Një arritje e madhe, nëse merret parasysh fakti që në Wimbledon kishte dy dekada që nuk fitonte njeri tjetër, përveç katërshes së madhe: Roger Federer, Novak Djokovic, Rafael Nadal dhe Andy Murray.
Statistikat tregojnë se vetëm treshja Djokovic – Nadal – Federer numëron 65 trofe Slam, ndërsa për të gjetur një tjetër emër që ka triumfuar në All England Club duhet të kthehemi në vitin e largët 2002, kur australiani Lleyton Hewitt mundi në vetëm tre sete argjentinasin David Nalbandian. Ndryshe nga femrat ku në dy dekadat e fundit ka dominuar Serena Williams, e cila u ndal në kuotën 23 të titujve Slam, te meshkujt rivaliteti i papërsëritshëm i këtyre katër emrave të mëdhenj bëri që në 18 vitet e fundit përjashtim të bëjnë vetëm tre turne të mëdhenj të marë nga zvicerani Stan Wawrinka, ndërsa nga një titull kanë fituar argjentinasi Juan Martin Del Potro, kroati Marin Cilic, austriaku Dominic Thiem si dhe rusi Daniil Medvedev.
Veterani serb u paraqit plot besim, për të mbajtur të gjalla shpresat për të kompletuar Grand Slam-in, gjë që për herë të fundit është regjistruar në vitin e largët 1969 nga tenisti legjendar australian Rod Laver, gjithsesi në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar në një duel ku fituesi merrte gjithçka ia doli mbanë për të triumfuar pikërisht Carlito, që përmbysi disavantazhin e setit hapës, për të koleksionuar trofeun e dytë të madh, pas titullit të marë dhjetë muaj më herët në Slam-in Njujorkez në Flushing Meadows.
Në pesë sezonet e fundit Djokovici kishte humbur vetëm 8 nga 52 sfidat e luajtura me kundërshtarë poshtë moshës 23 vjeçare, për më tepër në Wimbledon Nole pretendonte të fitonte titullin e 7 në 9 turnetë e fundit Slam, ku kishte marë pjesë, megjithatë përballë freskisë dhe këmbënguljes së tenistit të talentuar spanjoll u pa qartë që 36-vjeçari nga Serbia pati probleme të shumta në aspektin e lojës, duke u gjendur shpeshherë në vështirësi.
Veterani ballkanas ishte thyer vetëm tre herë në servis në gjashtë ndeshjet e tij të mëparshme në edicionin e 136 të Wimbledonit, sidoqoftë specialisë të ndryshëm dhe ish-tenistë të famshëm e patën paralajmëruar Nolen për kërcënimin që paraqiste 20-vjeçari iberik. Ndeshja tregoi qartë që 7 herë fituesi i Wimbledonit u kap shumë herë në kundërkohë, gjë që u reflektua në mënyrë të kuptueshme edhe në rrëshqitjet e shpeshta dhe të pazakonta në fushën e blertë. Djokovici i cili një ditë para finales tha se 36 vitet për të janë si 26 shkoi përtej, duke shtuar se priste që ndeshja e së dielës pasdite të shndërrohej në një festë të vërtetë.
Në fakt finalja e sivjetshme në Center Court u shndërrua në një klasike të mirëfilltë, që në barin londinez mungonte që nga finalja e paharrueshme e vitit 2019, ku Nole i anuloi dy mundësi për titullin mjeshtrit zviceran Roger Federer, që do të vazhdojë kështu të mbetet si tenisti më i suksesshëm në Open Era, për sa i përket turneut që organizohet në Church Road, që nga viti i largët 1877. Me shumë gjasa Djokovici nuk është se ua ka vënë shumë veshin këshillave në prag të këtij dueli të rëndësishëm, që i sugjeronin të bënte kujdes, pikërisht ndaj rivalit që bëhej gati t’i dilte përballë me armët e Federerit, Nadalit apo qoftë edhe vetë tenistit nga Serbia, i cili siç dihet në fushën qendrore nuk mundej prej plot një dekade, më saktë që nga finalja e vitit 2013, kur u thye në tre sete nga idhulli vendas Andy Murray.
Nole krenohej me 34 ndeshje të fituara në Wimbledon dhe disfata e fundit ishte regjistruar në fazën çerekfinale të vitit 2017, në sfidën me çekun Tomas Berdych, i cili përfitoi edhe nga tërheqja për arsye dëmtimi, kur Djokovic ishte duke humbur 6-7, 0-2. Pak prej euforisë e ndoshta ca më shumë edhe nga arroganca e natyrshme që vjen nga 23 titujt e fituar Slam Djokovici e kuptoi diçka të tillë vetëm në fund të ndeshjes, pas një disfate tepër të hidhur që e bëri të shpërthejë në lot sërish, njësoj si edhe në fund të takimit që humbi në finalen e Nju Jorkut me tenistin moskovit Daniil Medvedev, i cili e mundi në vetëm tre sete duke i shkatërruar sportistit të mirënjohur ballkanas ëndrrën e Grand Slam-it. Me dhimbje në fund Nole pranoi se këtë herë te loja e Alcarazit pa gjërat më të mira të treshes së madhe të bëra bashkë.
Djokovic “hodhi dorashkën” për një duel tjetër shumë shpejt ndërmjet tyre, ndoshta që në US Open, pas afërsisht dy muajve, ose të paktën tenisti serb do të bëjë çmos që ta ketë një tjetër mundësi në turneun e fundit të madh të sezonit. Në Australian Open Alcarazi mungoi për arsye dëmtimi, megjithatë tani me këtë fitore Carlito kryeson 2-1 bilancin e përgjithshëm mes tyre, duke u shkëputur madje edhe me plot 880 pikë nga Djokovici, për të nisur në këtë mënyrë edhe mbretërimin për javën e 29 në krye të renditjes botërore.